Marrëdhëniet e NATO-s me Shqipërinë
NATO-ja dhe Shqipëria bashkëpunojnë në mënyrë aktive në një sërë fushash, duke i vënë një theks të veçantë reformave në sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë, si dhe në mbështetjen për një reformë më të gjerë demokratike dhe institucionale. Ky vend iu bashkua Planit të Veprimit të Anëtarësimit (MAP) në vitin 1999 dhe synon t’i bashkohet Aleancës. Në prill 2008, Shqipëria u ftua të niste bisedimet për anëtarësim me Aleancën.
Vendet Aleate të NATO-s nënshkruan protokollet e Anëtarësimit me Shqipërinë më dt. 9 korrik 2008 dhe procesi i ratifikimit është në vazhdim. Gjatë periudhës deri në anëtarësim NATO do ta përfshijë Shqipërinë në aktivitetet e Aleancës në masën më të madhe të mundshme dhe do të vazhdojë të japë mbështetje dhe ndihmesë edhe përmes Planit të Veprimit për Anëtarësim.
Përveç përqendrimit kyç mbi reformën, një fushë tjetër e rëndësishme bashkëpunimi është mbështetja e vendit për operacionet e drejtuara nga NATO-ja. Shqipëria filloi të kontribuonte në Forcën e Ndihmës Ndërkombëtare të Sigurisë (ISAF) në Afganistan në vitin 2003. Gjithashtu ajo ka kontribuar në Forcën e Stabilitetit në Bosnje dhe Hercegovinë (SFOR) të udhëhequr nga NATO nga 1996 deri në vitin 2007 kur kjo u zëvendësua nga Operacioni Althea i Bashkimit Evropian. Shqipëria ka mirëpritur një komandë të mbështetjes logjistike për të lehtësuar operacionet paqeruajtëse të Aleatëve në zonën e Kosovës, e cila u transformua në një shtab ushtarak rajonal, NATO HQ Tirana, në vitin 2002.
Si funksionon bashkëpunimi në praktikë?
Në kuadrin e MAP-it, Shqipëria përcakton planet dhe afatet e saj kohore për reformën në Programin Kombëtar Vjetor (ANP). Fushat kyçe përfshijnë reformat politike, ushtarake dhe ato në sektorin e sigurisë. Prioritete të rëndësishme janë përpjekjet për të arritur standardet demokratike, mbështetja për të ulur korrupsionin dhe për të luftuar krimin e organizuar, reforma në drejtësi, përmirësimi i administratës publike dhe promovimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Aleatët e NATO-s ofrojnë asistencë në reformat e parashikuara dhe vlerësojnë zbatimin e tyre.
Më shumë…
Si janë zhvilluar marrëdhëniet me Shqipërinë?
Marrëdhëniet NATO-Shqipëri datojnë që prej vitit 1992, kur Shqipëria iu bashkua Këshillit të Bashkëpunimit të Atlantikut Verior (i emërtuar më vonë në vitin 1997 Këshilli i Partneritetit Euro-Atlantik). Marrëdhëniet u zgjeruan kur Shqipëria iu bashkua Partneritetit për Paqe në vitin 1994. Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e përpjekjeve të Aleatëve për t’i dhënë fund tragjedisë humanitare në Kosovë dhe për të siguruar paqen pas fushatës së sulmeve ajrore. Bashkëpunimi bilateral është zhvilluar në mënyrë progresive në reflektim të aspiratave për anëtarësimin e vendit dhe për pjesëmarrjen e tij në Planin e Veprimit të Anëtarësimit që nga prilli i vitit 1999. Mbështetja politike dhe publike për anëtarësimin në NATO ka qenë gjithnjë shumë e lartë (e mbështetur nga më shumë se 95 për qind e popullsisë). Në prill 2008, Shqipëria u ftua të niste bisedimet për anëtarësim me Aleancën. Vendet Aleate të NATO-s nënshkruan protokollet e Anëtarësimit me Shqipërinë më dt. 9 korrik 2008 dhe procesi i ratifikimit është në vazhdim.
NATO HQ Tirana, e cila u ngrit në vitin 2002 për t’i ndihmuar komandës dhe kontrollit të KFOR-it, ofron gjithashtu këshillime, ndihmë dhe mbështetje për qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për reformat në fushën e mbrojtjes.
Më shumë…